Në luftën kundër kriminalitetit, shpeshherë arma më e fuqishme nuk është vetëm pajisja e forcave të rendit, por vetëdija dhe guximi i qytetarëve.
Nga organet e hetuesisë dërgohet një mesazh i qartë: përballë krimit, qytetari është partneri kryesor. Me garancinë e plotë të anonimitetit dhe mbrojtjes ligjore, një informacion i vetëm po dëshmohet si çelësi për shkatërrimin e rrjeteve kriminale dhe shpëtimin e jetëve.
Të dhënat nga Prokuroria e Shtetit tregojnë një realitet befasues. “Në 90 për qind të rasteve që trajtohen nga ky institucion, burimi fillestar i hetimit është informata e ardhur nga qytetarët. Kjo shifër flet qartë për një besim të ndërtuar mes publikut dhe institucioneve të hetuesisë (Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës)”, thotë për iavokatin.com, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës. Shkodran Nikçi.

Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës
Anonimiteti dhe nbrojtja e dëshmitarëve: një garanci e pakompromis
Një nga hezitimet e qytetarëve për të raportuar krimin mund të jetë edhe frika nga hakmarrja. Megjithatë, kuadri juridik dhe praktika e institucioneve ofrojnë garanci të forta. Sipas Nikçit, organeve të hetuesisë u intereson vetëm informata, jo identiteti i personit që e jep atë.
“Për të lehtësuar këtë proces, çdo ditë ekziston një prokuror kujdestar i gatshëm për të pritur palë, dëshmitarë apo informacione të rëndësishme, duke trajtuar gjithçka sipas detyrës zyrtare dhe me konfidencialitet të plotë. Praktika ka dëshmuar raste të shumta ku qytetarët kanë parë rezultatin e raportimit të tyre (aksionet dhe arrestimet), ndërkohë që identiteti i tyre ka mbetur një sekret i paprekur”, thotë Nikçi.
Përtej informatorëve anonimë, mbrojtja shtrihet edhe tek dëshmitarët bashkëpunues në proceset penale. Dëshmitarët mbeten konfidencialë nga fillimi deri në përfundim të procedurës penale. Edhe në skenarin më të keq, nëse ndodh një dekonspirim i identitetit, Prokuroria, Policia dhe të gjithë mekanizmat e tjerë të sigurisë në Republikën e Kosovës, e kanë obligim ligjor dhe institucional të garantojnë sigurinë fizike dhe jetën e dëshmitarit.
Nga “Të Paprekshmit” tek konfiskimet milionëshe
Perceptimi se në shoqëri ekzistojnë individë të “paprekshëm” është rrëzuar pikërisht nga një informatë e qytetarit. Aksionet e mëdha policore që marrin jehonë mediale, të shqëruara me arrestime masive dhe konfiskime të pasurive të paligjshme, siç thotë Nikçi, janë pothuajse gjithmonë rezultat i këtij zinxhiri të mobilizuar nga një informacion i vetëm.
“Rasti i Fajdeve. Vepra penale e fajdes ka qenë një dukuri thellësisht shqetësuese, shpesh e mbuluar nga një narracion i frikës dhe mosndëshkimit. Megjithatë, një informatë e vetme nga një qytetar inicioi një hetim që çoi në arrestimin e mbi 30 personave të dyshuar. Konfiskimin e rreth 5 milionë eurove pasuri, e dyshuar si e përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm”, tregon Nikçi se si një informatë ka ndihmuar të çrrënjosin një grupi të tërë fajdexhinjsh që operonte në këtë rajon.
Çdo informatë mund të shpëtojë jetë
Impakti i raportimit shkon përtej krimeve financiare apo atyre të organizuara. Ai prek drejtpërdrejt sigurinë fizike dhe jetën e individëve të cenueshëm.
Një rast i fundit thekson në mënyrë dramatike këtë rëndësi. “Falë informacionit të një qytetari i cili raportoi se në një motel po kryhej një dhunim, intervenimi i menjëhershëm dhe i shkëlqyer i Policisë së Kosovës arriti të ndalojë krimin në vijimësi”, tregon Nikçi për rëndësinë që ka një informatë e qytetarit.
Kjo ngjarje thekson një të vërtetë absolute. Një informatë mund të ndriçojë një çështje të ndjeshme. Një informatë mund të çojë keqbërësit para drejtësisë. Një informatë mund të shpëtojë një viktimë ose një fëmijë, të cilët sipas Nikçit edhe janë jo rrallë herë edhe viktima të krimit.
Obligimi moral dhe ligjor
Të qenit dëshmitar i një krimi në kryerje ose pasja e një informacioni thelbësor nuk është thjesht një barrë personale, por një përgjegjësi e dyfishtë. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se raportimi i një vepre penale nuk është vetëm një obligim moral e njerëzor për të mbrojtur komunitetin, por gjithashtu, sipas Nikçit edhe obligim penal (ligjor).
Mosraportimi i krimeve të caktuara, veçanërisht kur jeta dhe siguria janë në rrezik, është i sanksionuar me ligj. Drejtësia nuk funksionon në vakum. Ajo ushqehet nga e vërteta, dhe shpeshherë, fjalët e një qytetari të vetëm janë shkëndija që i duhet ligjit për të triumfuar mbi krimin.

