Ligjet janë shkruar edhe për të mbrojtur kohën e juaj. Mjafton t’i dini dhe t’i kërkoni të drejtat tuaja! Mos lejoni të ndodh “Heshtja Administrative”
Keni dorëzuar një kërkesë apo një ankesë në komunë ose në ndonjë ministri, dhe pastaj kalojnë muajt e askush nuk ju thërret e as nuk ju dërgon ndonjë njoftim për kërkesën e juaj.
Kur shkoni të pyesni pse zgjatë kaq shumë, përgjigja është gjithmonë e njëjta: “E kemi në shqyrtim, prit edhe pak”.
Por, ligji në Kosovë ju mbron nga kjo vonesë dhe pritje e pafund dhe kjo mbrojtje quhet “Heshtja Administrative”.
“Heshtja Administrative” nënkupton se nëse shteti nuk ju kthen përgjigje me shkrim brenda afatit të caktuar me ligj, ligji konsideron se shteti ka heshtur.
Në drejtësi, kjo heshtje nuk do të thotë që ju duhet të prisni pafundësisht. Përkundrazi, heshtja ju jep të drejta të reja dhe kjo rregullohet me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Sipas këtij ligji, çdo institucion publik e ka për detyrë t’ju kthejë përgjigje apo të marrë një vendim sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 30 ditë pasi ju keni dorëzuar kërkesën.
Në raste kur institucionit i duhet më shumë kohë për ta trajtuar kërkesën apo ankesën e juaj, ata mund ta shtyjnë këtë afat, por janë të detyruar t’ju njoftojnë me shkrim pse po vonohen.
Nëse kalojnë 30 ditë dhe ju nuk merrni asnjë letër, ndodh “Heshtja” dhe kjo heshtje mund të përdoret në favorin tuaj me dy mundësi shumë të rëndësishme që ju jepen.
E para është e drejta e ankesës (sikur t’ju kishin thënë Jo).
Nëse komuna apo ministria nuk ju kthen përgjigje për 30 ditë, ju nuk keni pse të prisni më. Ligji ju lejon që të bëni menjëherë një ankesë në shkallën e dytë te mbikëqyrësi ose komisioni i ankesave, ose të shkoni direkt në Gjykatë, sepse vonesat e tyre llogariten njësoj sikur t’ua kishin refuzuar kërkesën. Kjo i pengon zyrtarët t’ju mbajnë peng me muaj të tërë.
E dyta është miratimi i heshtur (heshtja do të thotë Po).
Në disa raste të caktuara, ligji është edhe më i ashpër me institucionet e shtetit.
Për disa lloje lejesh ose licencash, nëse institucioni nuk ju thotë “Jo” brenda afatit ligjor, atëherë kërkesa juaj konsiderohet e pranuar automatikisht. Pra, fakti që ata nuk u përgjigjën, i jep dritën e gjelbër kërkesës suaj.
Për ta përdorur këtë të drejtë, ju duhet të keni fakte. Prandaj, mbani mend këto tre gjëra sa herë dorëzoni diçka në shtet.
Ruani fletën e protokollit: Kur dorëzoni një letër, kërkoni gjithmonë një kopje tuajën me vulën e institucionit, datën dhe numrin e protokollit. Kjo është prova juaj që numërimi i 30 ditëve ka filluar!
Mos prisni pafund: Nëse dita e 31-të vjen dhe nuk keni përgjigje, mos u mjaftoni me fjalët “kthehu javën tjetër”. Bëni ankesë për mos përgjigje.
Shkruani qartë: Kur dorëzoni kërkesën, shkruani saktë adresën dhe numrin tuaj të telefonit, që institucioni të mos ketë asnjë justifikim që “nuk ju gjeti dot”.
Mos i lejoni burokracisë t’ju lodh me vonesa të pa justifikueshme.
Më poshtë keni një model shumë të thjeshtë dhe praktik i ankesës në raste kur institucionet shtetërore nuk kthejnë përgjigje brenda 30 ditëve.
MODEL ANKESE PËR HESHTJE ADMINISTRATIVE
Drejtuar: [Emri i Komunës, Ministrisë apo ndonjë institucioni tjetër]
Departamenti: [Komisioni i Ankesave / Drejtoria përkatëse]
Nga: [Emri dhe Mbiemri juaj]
Adresa: [Adresa juaj e banimit]
Numri i telefonit: [Numri juaj]
Numri personal (Letërnjoftimi): [Numri personal]
Data: [Data e dorëzimit të kësaj ankese]
LËNDA: Ankesë për “Heshtje Administrative” (Mos-kthim i përgjigjes brenda afatit ligjor)
Të nderuar,
Më datën [Shkruani datën kur keni dorëzuar kërkesën e parë], unë kam dorëzuar pranë institucionit tuaj një kërkesë me numër protokolli [Shkruani numrin e protokollit që keni në fletën tuaj].
Tema e kërkesës sime ishte: [Përshkruani shkurt çfarë keni kërkuar, p.sh., Pajisje me leje ndërtimi / Ankesë për faturë të mbeturinave, etj.].
Sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (Ligji Nr. 05/L-031), institucioni juaj e ka për obligim të marrë një vendim dhe të më njoftojë me shkrim brenda afatit prej 30 ditësh.
Meqenëse ky afat ka kaluar dhe unë nuk kam marrë asnjë përgjigje apo njoftim për shtyrje të afatit, konsideroj se ka ndodhur “Heshtja Administrative”.
Prandaj, përmes kësaj ankese, kërkoj që:
- Kërkesa ime fillestare të trajtohet me urgjencë.
- Të më lëshohet vendimi përfundimtar me shkrim sa më parë.
Nëse nuk marr përgjigje as pas kësaj ankese, do të detyrohem t’i drejtohem gjykatës kompetente për të mbrojtur të drejtat e mia ligjore.
Shtojcë (Dokumentet e bashkangjitura):
Një kopje e kërkesës sime të parë me vulë dhe numër protokolli.
Me respekt,
[Nënshkrimi juaj]
Si të veprohet me këtë letër?
Shtypeni në dy kopje: Njërën ia jepni zyrës së pranimit (arkivës) në institucionin që e keni paraqitur ankesën apo kërkesën, ndërsa te kopja e dytë që e mbani ju, kërkoni t’ua vendosin vulën me datë dhe numrin e ri të protokollit.
Kjo letër dëshmon zyrtarisht se ju po e kërkoni të drejtën tuaj dhe nuk jeni pajtuar me vonesën.

