Kurthet kriminale të kontratave mashtruese të punës në Zonën Shengen

Në procesin e punësimit legal në vendet perëndimore, një punëdhënës i vërtetë nuk kërkon para nga punëmarrësi për t'i lëshuar një kontratë, është punëdhënësi ai që paguan kostot e rekrutimit për shërbimin tuaj.

Në procesin e punësimit legal në vendet perëndimore, një punëdhënës i vërtetë nuk kërkon para nga punëmarrësi për t’i lëshuar një kontratë, është punëdhënësi ai që paguan kostot e rekrutimit për shërbimin tuaj.

Me shpresën e një të ardhme më të mirë ekonomike në vendet e Evropës Perëndimore, numër i madh të rinjsh të Kosovës shfrytëzojnë nganjëherë çdo mundësi të punësimit që u ofrohet me një kontratë pune.

Grupet kriminale, individët mashtrues dhe agjencitë e dyshimta e shfrytëzojnë këtë fakt, duke premtuar “kontrata pune të sigurta” në këmbim të mijëra eurove.

Për një qytetar të thjeshtë, dallimi mes një mundësie reale dhe një cope letre pa vlerë shpesh është i vështirë.

Rrjetet e mashtrimit e orientojnë “biznesin” e tyre aty ku ka më shumë kërkesë dhe ku procedurat ligjore lejojnë marrjen e punëtorëve nga jashtë BE-së.

Këto janë shtetet ku lëshohen më së shumti kontrata mashtruese:

Gjermania është caku numër një, për shkak të Rregullores për Ballkanin Perëndimor, e cila ofron lehtësira të mëdha për punësimin e kosovarëve të pakualifikuar. Gjermania është “vatra” kryesore e këtyre mashtrimeve.

Individët shesin grumbuj kontratash mashtruese, sidomos në sektorët e ndërtimtarisë, logjistikës, gastronomisë dhe pastrimit.

Pas Gjermanisë janë Zvicra dhe Austria për shkak të pranisë së madhe të diasporës dhe standardit të lartë të jetesës. Këto dy vende përdoren shpesh si karrem.

Mashtruesit pretendojnë se kanë “lidhje të forta” me kompani vendase për të siguruar leje pune të drejtpërdrejta, të cilat në realitet nuk mund të blihen. Ato u nënshtrohen kontrolleve të ashpra shtetërore.

Kontrata mashtruese për punë lëshohen edhe për Itali dhe Francë. Këto dy shtete janë shpesh cak i mashtrimeve që lidhen me kontratat e punëve sezonale, kryesisht në bujqësi dhe turizëm.

Të rinjve u shiten dokumente që nuk figurojnë fare në regjistrat shtetërorë të tatimeve në këto vende.

Blerja e një kontrate për të përfituar një vizë pune përbën veprën penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Dhe këto dokumente të falsifikuara zbulohen lehtë nga ambasadat e vendeve të Shengenit me sistemet e tyre, që nuk bazohen vetëm te verifikimi i letrës.

Ato kanë mekanizma të avancuar për të verifikuar punëdhënësit, historikun e tyre tatimor, dhe së fundmi, aplikojnë edhe verifikime në burime të hapura dhe rrjete sociale për të zbuluar profilet e rrezikut.

Nëse kapeni me kontratë fiktive, viza ju refuzohet automatikisht dhe rrezikoni ndalesë hyrjeje disavjeçar për të gjithë Zonën Shengen.

Nëse arrini të hyni në shtetin evropian përmes këtij mashtrimi dhe zbuloheni, pasoja është dëbimi i menjëhershëm, gjoba mijëra eurosh dhe hapja e një dosjeje penale në shtetin pritës.

Përpara se të paguani ndërmjetësit apo të besoni një kontratë të dërguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale, çdo qytetar mund të bëjë një hetim bazë verifikues në Regjistrin e Biznesit.

Çdo kompani e ligjshme në BE duhet të jetë e regjistruar në shtet. Ju mund të vizitoni portalet zyrtare të regjistrave shtetërorë, që janë publike dhe falas, dhe të kërkoni emrin e kompanisë.

Nëse nuk ekziston, kontrata është një falsifikim i pastër. Shfrytëzoni institucionet shtetërore në vendet përkatëse, të cilat ofrojnë këshillim falas për punëtorët e huaj dhe mund t’ju ndihmojë të verifikoni vlefshmërinë e ofertave pa rënë pre e mashtrimeve.

Kujdes duhet të ketë edhe me adresat e Email-it, ngase një kompani serioze evropiane nuk dërgon asnjëherë kontrata zyrtare nga adresa falas si @gmail.com, @yahoo.com apo @hotmail.com. Ata përdorin domain-in e tyre privat (p.sh., info@emriikompanise.de). Nëse komunikimi vjen nga një email amator, ky është një alarm për mashtrim.

Mos telefononi kurrë numrin që është i shkruar në kontratën e dyshimtë. Gjeni emrin e kompanisë në Google, hapni uebfaqen e tyre zyrtare dhe telefononi drejtpërdrejt Departamentin e Burimeve Njerëzore. Thjesht pyesni nëse kjo ofertë pune është reale.

Analizoni kushtet e kontratës nëse paga e ofruar për orë është nën pagën minimale ligjore të atij shteti. Kontrata do të refuzohet automatikisht nga Ambasada pa u shqyrtuar fare.

Gjithashtu, jini shumë skeptikë ndaj pagave tepër të larta për punë pa kualifikim, sepse mashtruesit i fryjnë shifrat vetëm për t’ju joshur.

Përgjigjja ligjore në të gjithë Zonën Shengen është e prerë. Në procesin e punësimit legal në vendet perëndimore, një punëdhënës i vërtetë nuk kërkon para nga punëmarrësi për t’i lëshuar një kontratë, është punëdhënësi ai që paguan kostot e rekrutimit për shërbimin tuaj.

Post Related

Kontakti

Promovoni biznesin tuaj në këtë hapësirë.