Sa herë keni parë një çmim në raft, e te arka ju kanë faturuar më shtrenjtë? Shumica prej nesh thjesht paguajnë dhe ikin, ose e kthejnë produktin me nervozizëm. Mos u mashtroni dhe mos i falni paratë tuaja, sepse Ligji ju jep të drejtë ta merrni produktin me çmimin që keni parë në raft.
Janë situata jo të rralla që ndodhin kur bëni pazar. Çmimi i produktit në raft është më i ulët sesa çmimi në sistemin e arkës. Në raft për shembull çmimi është 1.99 euro dhe kur shkoni te arka për të paguar, befas fatura ju del më e lartë. Arkëtarja ju thotë se produkti kushton 2.50 euro.
Ndoshta mund të mendoni se meqë sistemi i arkës e nxjerr 2.50 euro, ju duhet ta paguani aq ose ta lini produktin aty.
Kjo është një situatë që ju shkakton ndjenjën sikur po ua marrin paratë padrejtësisht. Për këso rastesh ekziston ligji që ju mbron.
Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit është shumë i qartë për këso rastesh. Konsumatori ka të drejtë ta blejë produktin me çmimin e ekspozuar në raft, i cili konsiderohet çmimi zyrtar, me të cilin dyqani ju ka bindur ta merrni produktin.
Dyqani e ka për detyrë ligjore t’jua shesë produktin me atë çmim, pavarësisht se çfarë çmimi u del atyre në kompjuterin e arkës.
Mospërputhja e çmimeve është gabim i pa qëllimshëm apo i qëllimshëm i dyqanit, e jo i juaji, dhe ju nuk duhet të paguani për “gabimet” e tyre.
Ne raste kur ju ndodh kjo, mos hezitoni sapo të shihni që çmimi në arkë është më i lartë, tregojini punonjësit me qetësi që në raft çmimi është ndryshe.
Kërkoni që dikush nga stafi të shkojë ta shohë bashkë me ju çmimin te rafti dhe i tregoni se sipas Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ju keni të drejtë ta blini produktin me çmimin që është në raft.
Ndodh që menaxheri i dyqanit ju kërkon falje por ju duhet të paguani çmimin që tregon në kompjuter.
Në raste të tilla, mos u dorëzoni. Merrni telefonin tuaj dhe bëjini një foto të çmimit që ndodhet te rafti. Nëse produktin e keni blerë tashmë me çmimin e shtrenjtë, ruajeni faturën. Këto dy gjëra janë provat tuaja të pakundërshtueshme.
Kërkoni librin e ankesave për klientë, të cilin çdo biznes është i detyruar të ketë. Shkruani aty se çfarë ju ndodhi dhe njëkohësisht lajmëroni Autoritetet Shtetërore, respektivisht Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin falas 0800 11000.
Kur ju ankoheni me prova, shteti dërgon inspektorë te lokali ku ka ndodhur dhe ata mund të gjobiten rëndë.
Me rëndësi është që ju si konsumator të mos heshtni. Nuk bëhet fjalë thjesht për t’i kursyer 50 cent. Bëhet fjalë për një mesazh shumë më të qartë, se kur ju i dini të drejtat e juaja dhe i kërkoni ato, bizneset detyrohen të jenë më të përgjegjshme.
Një ankesë e vetme nga ju, mund të shpëtojë qindra qytetarë të tjerë nga i njëjti “gabim”. Të mbrosh veten, do të thotë të mbrosh të gjithë komunitetin. Herën tjetër që shihni një çmim tjetër në raft e një tjetër në arkë, mos e ulni kokën por flisni! Ligji ju mbron.

