Ndryshe nga një “Robot-Gjyqtar” që e trajton shkeljen si një proces automatik, të ftohtë dhe thjesht matematik, gjyqtari njeri ka detyrën primare të aplikojë individualizimin e dënimit duke vlerësuar rrethanat specifike dhe gjendjen shpirtërore të individit. Kjo qasje pranon se zbatimi i rreptë i germës së ligjit pa asnjë dozë mëshire shpesh prodhon një padrejtësi edhe më të madhe, duke kujtuar se qëllimi suprem i sistemit juridik nuk është hakmarrja apo ndëshkimi mekanik, por parandalimi dhe korrigjimi i sjelljes njerëzore brenda shoqërisë.
Skenat që dikur i shihnim vetëm në filmat fantastiko-shkencorë, sot po trokasin në dyert e gjykatave tona. Ideja është shumë joshëse. Një inteligjencë artificiale (IA) që nuk lodhet, nuk korruptohet dhe nuk ndikohet.
Por, shtrohet pyetja se a mundet një algoritëm vërtet “t’i presë teshat” drejtësisë njerëzore?
Algoritmi nuk ka miq, nuk kërkon rritje rroge dhe nuk merret me emocione. Për shumë njerëz, kjo duket si fundi i korrupsionit dhe vonesave pafund. Një klik, dhe vendimi është gati.
Por problemi është se “Kodi” nuk ka shpirt dhe këtu fillon kthesa e vërtetë.
Drejtësia nuk është vetëm zbatimi i ftohtë i rregullave, por është edhe kuptimi i rrethanave në të cilat ndodh ndonjë vepër kundërligjore.
Dy shembuj që të bëjnë të mendosh
Një makinë që tejkalon shpejtësinë. Robotit nuk i intereson pse. Ai sheh shifrën dhe jep gjobën. Por, një gjyqtar njerëzor dëgjon zërin e prindit që po nxiton drejt spitalit me fëmijën e sëmurë.
IA e sheh botën vetëm me 0 dhe 1, me bardhë ose zi. Por jeta njerëzore jetohet me gjitha ngjyrat. Drejtësia pa mëshirë është thjesht një llogari jo njerëzore.
Ose një shembull tjetër kur dy persona që vjedhin një bukë, një adoleshent që e bën për shaka dhe një prind të dëshpëruar që nuk ka me se të ushqejë fëmijët.
Një sistem i automatizuar (AI) e trajton shkeljen si një përputhje mekanike me normën, gjyqtari njeri aplikon individualizimin e dënimit. Ai vlerëson rrethanat lehtësuese dhe gjendjen psiko-sociale të subjektit, duke parandaluar që zbatimi rigoroz i ligjit të kthehet në padrejtësi. Kjo sepse qëllimi parësor i sanksionit penal është parandalimi dhe riedukimi, e jo thjesht ndëshkimi mekanik.
Por nëse algoritmi gabon në shqiptimin e dënimit, kush mban përgjegjësi? Dhe ky fakt po ndez juristët në vitin 2026. Nëse algoritmi gabon, kush shkon në burg? Programuesi apo kompania që e shiti atë ose përgjegjësia i mbetet e tëra institucioneve shtetërore që ia besuan çekanin një makinerie?
Nëse një gjyqtar gabon, ka një emër, një fytyrë dhe një rrugë ligjore për ta ndjekur penalisht.
Por, përballë një defekti teknik që ta merr pronën ose lirinë, qytetari përballet me një mur heshtjeje teknologjike. Një kompjuter nuk mund të kërkojë falje dhe as të japë llogari moralisht.
Teknologjia duhet të jetë shërbëtore e ligjit, jo zotëruese e tij. IA mund të jetë një ndihmëse e shkëlqyer për të renditur dosjet e pafundme dhe për të gjetur precedentët ligjorë në sekonda. Ajo mund të pastrojë pluhurin e zyrave, por nuk mund të zëvendësojë peshën e vendimit.
Drejtësia nuk është vetëm rezultat. Ajo është procesi ku njeriu gjykohet nga njeriu. Në garën tonë për efikasitet, nuk duhet të humbim atë që na bën njerëzorë. Aftësinë për të kuptuar dhimbjen, kontekstin dhe pendimin. Algoritmi mund të lexojë ligjin, por vetëm njeriu mund ta kuptojë atë.

