Origjina e mbrojtjes ligjore dhe e rolit të avokatit daton në qytetërimet e para të organizuara, ku u hodhën themelet e sistemeve juridike të shkruara dhe të administruara nga autoritetet shtetërore. Edhe pse figura e avokatit, si profesion i pavarur, nuk ekzistonte ende, koncepti i drejtësisë dhe i mbrojtjes së interesave të palëve filloi të marrë formë.
Mesopotamia përfaqëson një nga shembujt më të hershëm të organizimit juridik. Kodi i Hamurabit (rreth 1750 p.e.s.) konsiderohet një nga përmbledhjet e para të ligjeve të shkruara në historinë e njerëzimit. Ky kod përcaktonte rregulla të qarta për marrëdhëniet shoqërore, ekonomike dhe penale, duke synuar vendosjen e rendit dhe stabilitetit.
Në këtë periudhë nuk ekzistonte avokati si profesion i veçantë. Palët ishin të detyruara të përfaqësonin vetë interesat e tyre përpara autoriteteve. Në disa raste, ndihma vinte nga persona me njohuri zakonore ose përvojë praktike, por pa status ligjor apo profesional. Roli i mbrojtjes ligjore ishte i kufizuar, formal dhe i kontrolluar rreptësisht nga pushteti shtetëror, pa hapësirë për interpretim të gjerë juridik.
Mbrojtja dhe procesi ligjor, ishte ne kontroll të plotë institucional edhe në Egjiptin e Lashtë, ku sistemi juridik ishte thellësisht i centralizuar dhe i lidhur me autoritetin e shtetit dhe të faraonit. Drejtësia konsiderohej pjesë e rendit hyjnor, dhe procedurat ligjore zhvilloheshin brenda strukturave administrative shtetërore.
Megjithëse pa status të pavarur profesional, shkruesit dhe këshilltarët ligjorë atë kohë, ndihmonin palët, si dhe në hartimin e dokumenteve dhe paraqitjen e çështjeve.
Edhe pse këta shkrues luanin një rol të rëndësishëm praktik, ata nuk mund të konsiderohen avokatë në kuptimin modern të fjalës, pasi vepronin nën autoritetin e drejtpërdrejtë të administratës shtetërore.
Avokatë nuk quheshin as logografët në Greqia e Lashtë kur në Athinën e shekullit të V para erës së re, filloi arti i mbrojtjes, kur qytetarët duhej të mbronin vetë çështjet e tyre në gjykatë. Kështu lindi edhe figura e logografëve, të cilët ishin persona që shkruanin fjalime juridike për palët. Edhe pse indirekte, megjithatë kjo konsiderohet edhe forma e parë e avokatisë, si orator dhe strateg argumentues.

Gradualisht profesioni i avokatit nga e lashta fillon të kalojë në kohën e avokatisë moderne, duke i vënë themelet e para në Roma e Lashtë të Perandorisë Romake, kur u krijua figura e Advocatus dhe Jurisconsultus. Avokatët përfaqësonin palët, jepnin këshilla juridike dhe hartonin akte. Kështu Avokatia u bë profesion i njohur publikisht. U vendosën rregulla etike dhe kufizime mbi shpërblimet. U theksua roli i pavarësisë dhe besimit publik. Roma është edhe baza historike e avokatisë moderne evropiane.
Rëndësia historike
Këto forma të hershme të organizimit ligjor përfaqësojnë bazën mbi të cilën u ndërtua më vonë profesioni i avokatit. Ato tregojnë se nevoja për mbrojtje juridike dhe për ndërmjetësim ligjor ka qenë e pranishme që në fillesat e qytetërimit, edhe pse pa pavarësinë dhe strukturën profesionale që karakterizon avokatin modern. / iAvokati/

