Trupi dhe imazhi i dikujt janë pronë e tij dhe, publikimi i tyre pa leje përbën krim
Kamerat në telefonat tanë të mençur kanë bërë që çdokush të jetë një “paparaci” potencial. Por publikimi i një fotografie apo videoje të një personi tjetër në rrjete sociale pa marrë lejen e tij, nuk është thjesht një shkelje etike, por është një shkelje e rëndë ligjore, që hynë në kuadër të veprave penale.
Andaj, kushdo që fotografon, incizon pamje filmike ose publikon pamjet e dikujt tjetër, duke i cenuar jetën private, pa pëlqimin e atij personi, kryen vepër penale dhe mund të dënohet me gjobë ose me burgim.
E drejta për privatësi është e garantuar me Kushtetutën e Republikës Kosovës. Dhe kur kjo e drejtë shkelet, hyn në lojë Kodi Penal i Republikës së Kosovës për fotografim dhe incizim të paautorizuar.
Edhe më serioze bëhet kur pamjet intime ose personale përdorën për të kërcënuar apo shantazhuar.
Në këto raste veprimet kualifikohen si shantazh dhe Kodi Penal parasheh dënime shumë të rënda me burg. Gjithashtu, publikimi i pamjeve që zbulojnë identitetin mund të raportohet në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, e cila mbikëqyr zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

