Mitit se procesi ligjor është i ngadalshëm kur bëhet fjalë për sigurinë, nuk ekziston.
Frika më e madhe e një viktime të dhunës në familje është shpesh pyetja: “Nëse e denoncoj sot, ku do të fle sonte?”. Shumë gra apo anëtarë tjerë të familjes hezitojnë të raportojnë apo të kërkojnë ndihmë sepse besojnë se drejtësia është e ngadalshme dhe se autori i dhunës mbetet në shtëpi, duke u bërë edhe më i rrezikshëm.
Por realiteti ligjorë është ndryshe, kur jeta ose shëndeti është në rrezik. Ligji parasheh masa emergjente që veprojnë brenda pak orësh. Nuk bëhet fjalë për muaj apo vite gjyqesh, bëhet fjalë për siguri të menjëhershme, duke siguruar urdhrin mbrojtës, të cilin mund ta kërkoni këtë direkt në polici ose nëpërmjet një padie në gjykatë.
“Procedurat penale lidhur me dhunën në familje, qoftë psikike apo fizike, janë procedura ma të përshpejtuara sesa procedurat tjera penale. Menjëherë pas raportimit të rastit në polici, ku duhet së pari edhe të paraqitet rasti, urdhri mbrojtës emergjent lëshohet nga policia brenda 24 orëve. Viktima mund të paraqes edhe kërkesë për urdhër mbrojtës të përkohshëm që bëhet me padi në procedurë civile në Gjykatën Themelore, si dhe urdhrin mbrojtës i cili mund të zgjasë prej gjashtë muaj deri në dy vjet, e i cili duhet të lëshohet brenda dy jave”, thotë avokatja në Pejë, Valbone Berbati.

Avokatja, Valbone Berbati
Me urdhrin mbrojtës autorit të dhunës i ndalohet t’i afrohet viktimës, vendit të punës, shkollës së fëmijëve apo ambienteve që ajo frekuenton.
“Kur një grua përjeton dhunë psikike apo fizike dhe detyrohet të largohet nga shtëpia ku ka jetuar me bashkëshort me kurorëzim, kur e paraqet rastin në polici, policia fillimisht e pyet nëse ajo ndjehet e sigurt të kthehet në shtëpi, apo dëshiron të strehohet në shtëpinë e sigurisë apo në ndonjë vend tjetër të sigurt, deri në përfundimin e procedurës penale ndaj autorit të dhunës. Bashkëshorti nuk ka për obligim të mbulojë shpenzime ngase ajo është e kurorëzuar me të dhe ka shtëpinë ku ka jetuar”, sqaron avokatja Berbati.
Pas paraqitjes së rastit dhe strehimit në një shtëpi të sigurt, viktima e dhunës, pavarësisht nëse nuk ka mjete financiare, ajo nuk duhet të ketë frikë për mbrojtje ligjore.
“Gruaja që ka përjetuar dhunë psikike apo fizike nga bashkëshorti, ajo mund ti drejtohet zyrës së mbrojtjes së viktimave si dhe në zyrën për ndihmë juridike falas, që gjendet në kuadër të objektit të Prokurorisë Themelore”, thotë Berbati. / iAvokati

