Pavarësisht praktikave të shpeshta ku punëtorët largohen nga puna me një fjalë goje apo u shkurtoren pagat pa paralajmërim, baza ligjore në Kosovë ofron mbrojtje të fuqishme. Nga kontratat e pashkruara që shndërrohen automatikisht në të përhershme, deri te dëshmitë me kolegë për orët shtesë – ky është udhërrëfyesi ligjor për çdo punëmarrës.
Në tregun e punës në Kosovë, skenari është shpesh i përsëritur: pas përfundimit të orarit, punëdhënësi i komunikon punëtorit verbalisht se “nga nesër nuk ka nevojë të dalë në punë”. Por, ekspertët ligjorë alarmojnë se ky veprim jo vetëm që është i paligjshëm, por punëtori nuk duhet ta pranojë largimin pa një vendim me shkrim.
Sipas avokatëve, asnjë punëdhënës nuk guxon të largojë punëtorin pa paralajmërim dhe pa një procedurë të rregullt disiplinore. Ligji e përcakton qartë se mënyra e ndërprerjes së marrëdhënies së punës duhet të jetë e dokumentuar.
“Nuk është e ligjshme kjo mënyrë e përjashtimit të punëtorit nga puna. Nëse gjendeni në këtë situatë, hapi i parë është ankesa brenda ndërmarrjes. Nëse kjo nuk jep rezultat, rruga vijon në Inspektoratin e Punës dhe, si instancë e fundit, në Gjykatë. Padia mbetet mjeti më i fuqishëm për realizimin e të drejtave që konsiderohen të cenuara”, thotë avokati Nazmi Iberdemaj.

Avokati, Nazmi Iberdemaj
Këshillë: Asnjëherë mos pranoni ndryshime të kushteve të punës apo largim pa një dokument zyrtar me shkrim. Ligji është në anën tuaj, mjafton të ndiqni rrugët e parapara institucionale.
Miti i mungesës së kontratës: Jeni më të mbrojtur se sa mendoni
Një ndër keqkuptimet më të mëdha në Kosovë është mendimi se mungesa e një kontrate fizike nënkupton mungesë të të drejtave. E vërteta ligjore është krejt e kundërta.
Avokati sqaron se nëse punëtori është angazhuar nga ndërmarrja me punua edhe pse ndërmarrja nuk i ka plotësuar obligimet ligjore që të bëjë një kontratë mbi marrëdhënien e punës me punëtorin, ligji e konsideron atë automatikisht si kontratë me kohë të pacaktuar.
Në këtë rast, punëtori gëzon mbrojtje edhe më të madhe. Punëdhënësi nuk mund ta ndërpresë këtë marrëdhënie pa një arsye të faktuar mirë dhe pa ndjekur hapat rigorozë disiplinorë. Ekspertët sqarojnë se, meqenëse punëtori ka kryer obligimet e kërkuara, atij i takojnë të gjitha benefitet dhe kërkesat që do t’i takonin edhe me kontratë të shkruar.
Si t’i faktoni orët shtesë pa “sistem kartelash”?
Një tjetër sfidë mbetet kompensimi i punës jashtë orarit. Shumë punëdhënës kërkojnë angazhim shtesë pa pagesë, duke u mbrojtur pas mungesës së sistemeve elektronike të evidencës.
Megjithatë, ligji parasheh se çdo punë shtesë duhet të shpërblehet. Në mungesë të fakteve me shkrim, sipas avokatit Iberdemaj, dëshmitë e kolegëve dhe personave të tjerë të pranishëm në ndërmarrje gjatë atyre orëve janë prova valide dhe se Inspektorati i Punës dhe Gjykata i marrin parasysh këto dëshmi për të detyruar ndërmarrjen që të bëjë kompensimin e plotë retroaktiv.
“Nëse punëtori është angazhuar nga ndërmarrja me punua edhe pse ndërmarrja nuk i ka plotësuar obligimet ligjore që të bëjë një kontratë mbi marrëdhënien e punës me punëtorin, por të njëjtin e shfrytëzon në punë, absolut punëtori ka drejtë në gjitha kërkesat të cilat do ti takojshin edhe me kontratë pune, ngase ai i ka kryer të gjitha kërkesat dhe obligimet që janë kërkuar nga punëdhënësi”, thotë avokati.
Ulja e pagës pa paralajmërim: Beteja që punëtorët e fitojnë në 95% të rasteve
Cenimi i pagës përmes zbritjes së paligjshme apo uljes së gradacionit mbetet një dukuri shqetësuese.
Kjo dukuri, sipas avokatit Iberdemaj, ka qenë shumë e pranishme në Kosovë, ku punëdhënësi pa paralajmërim dhe pa ndonjë vendim të caktuar ia ka zbrit pagën punëtorit dhe gradacionet të cilat i ka pas të përcaktuar. “Po e zëmë e ka pas vendin e caktuar ku parashihet grada shtatë, e cila po e zëmë ka qenë 700 euro. Por ndërmarrja e ka paguar në bazë të gradës gjashtë që do të thotë ia ka ulur pagën për 100 euro. Këtë nuk mund ta bëjë ndërmarrja:, thotë ai.
Statistikat gjyqësore janë shpresëdhënëse për punëtorët.
Sipas të dhënave nga praktika ligjore, kontestet e punës trajtohen me prioritet nëpër gjykatat e Kosovës. Në rastet kur vërtetohet cenimi i të drejtës në pagë, avokati thotë se punëtorët fitojnë në 95 deri në 98 për qind të rasteve. Pra, Ligji, në fund të procesit, sipas tij, pothuajse gjithmonë vendos në favor të punëmarrësit, duke detyruar punëdhënësin të kthejë mjetet e ndaluara pa bazë ligjore.

