Drejtësia ligjore përtej miteve dhe kontributi i padukshëm i grave në martesë

Në shoqërinë tonë ende mbizotëron mendimi se në rast shkurorëzimi, pasuria i takon atij që ka sjellë pagën në shtëpi. Mirëpo, Ligji për Familjen në Kosovë ofron një realitet krejt tjetër, duke mbrojtur fuqishëm kontributin "e padukshëm" të grave në mirëmbajtjen e familjes, rritjen e fëmijëve dhe punës në fushë.

Në shoqërinë tonë ende mbizotëron mendimi se në rast shkurorëzimi, pasuria i takon atij që ka sjellë pagën në shtëpi. Mirëpo, Ligji për Familjen në Kosovë ofron një realitet krejt tjetër, duke mbrojtur fuqishëm kontributin “e padukshëm” të grave në mirëmbajtjen e familjes, rritjen e fëmijëve dhe punës në fushë.

Procesi i shkurorëzimit në Kosovë shoqërohet shpesh me pasiguri dhe mite të shumta, veçanërisht sa i përket të drejtave mbi pasurinë dhe mirëqenien e fëmijëve. Një nga keqkuptimet më të mëdha që dominon opinionin publik është mendësia e vjetër se nëse një grua nuk ka qenë e punësuar me pagë gjatë martesës, asaj nuk i takon asgjë nga pasuria e përbashkët.

Megjithatë, kuadri ligjor ofron një mbrojtje të qartë për të dy partnerët. Siç shpjegon avokati. Adem Nikqi. “Ligji për familjen e Kosovës e ka caktuar qartë se pasuria e përbashkët e fituar gjatë periudhës martesore edhe qoftë në bashkëjetesë, e cila me ligjin e ri është e barazuar me martesën, është pasuri e përbashkët e qiftit”, thotë Nikqi.

A i llogaritet kontribut ekonomik gruas përkujdesja për familje në rast shkurorëzimi?

Kjo nënkupton që kontributi në amvisëri dhe rritja e fëmijëve njihet plotësisht si vlerë ekonomike. Në rastet e ndarjes, parimi bazë është ndarja përgjysmë, pasi hartuesit e ligjit kanë vlerësuar se përkujdesja për shtëpinë i ka mundësuar bashkëshortit tjetër të punojë dhe të gjenerojë të ardhura.

Madje, kur bëhet fjalë për sakrifica specifike, ligji mund të anon edhe më shumë nga gruaja. “Në disa raste madje gjykata ka të drejtë që një grua e cila ka jetuar në vendbanim dhe kushte të rënda rurale e cila është përkujdes edhe për kafshët dhe ka kryer punë të rënda të fushës, gjykata e ka të drejtën që ti jap ndoshta edhe më tepër pasuri sesa burrit në këtë rast,” thotë avokati Nikqi, duke thyer kështu mitin e mospjesëmarrjes në pasuri për gratë që nuk kanë pasur një kontratë formale pune.

A ndahet pasuria e trashëguar në rast të shkurorëzimit?

Jo çdo gjë që zotëron një çift i nënshtrohet ndarjes. Pasuria e trashëguar apo dhuratat mbeten pronë personale e secilit bashkëshort. Avokati sqaron se pasuria e trashëguar e secilit nga bashkëshortët, nuk hyn në pasuri të përbashkët. “Nëse njëri bashkëshort trashëgon tokë apo pasuri tjetër nga prindërit gjatë martesës, ajo nuk ndahet në rast shkurorëzimi. Është pasuri e veçuar, është pasuri e trashëguar dhe kjo nuk hynë në ndarje të pasurisë së qiftit, pavarësisht divorcit apo kërkesës për ndarjen e pasurisë. Gjithashtu edhe pasuria e dhuruar nuk futet në pasurinë e përbashkët të qiftit”, thotë Nikqi.

Çështje e ndjeshme e procesit të shkurorëzimit është kujdesi për fëmijët dhe detyrimi për alimentacion. Prindërit kanë obligim ligjor t’i mbajnë fëmijët deri në moshën 18 vjeçare, ose deri në moshën 23 vjeçare në raste specifike.

Përcaktimi i shumës së alimentacionit nuk bëhet në mënyrë arbitrare, por siç thotë Nikqi, duke parë realitetin ekonomik. “Gjykata i merr parasysh rrethanat ekonomike dhe të mirëqenies të personit i cili ka për ta kryer alimentacionin. Gjykata është e kujdesshme që të mos e ngarkojë palën me shpenzimet më të cilat nuk mund t’i përballojë”, sqaron Nikqi.

Avokati, Adem Nikqi

Përtej anës financiare, lufta kundër mendësisë patriarkale reflektohet edhe në mënyrën se si gjykatat vendosin për kujdestarinë. Edhe pse ekziston mendimi se fëmijët duhet t’i takojnë nënës dhe babai vetëm të paguajë, ligji i sheh ata si të barabartë.

Sipas avokatit, gjykata qiftin e sheh si dy persona të barabartë, dhe bazohet në rrethanat tjera për besimin e fëmijëve dhe kushtet që janë të favorshme dhe me alimentacion ngarkohet prindi i cili ka kushtet më të mira me i mbulua shpenzimet e fëmijëve.

Sa i përket vetë procedurës së shkurorëzimit, ajo mund të marrë dy rrugë. “Procedura e shkurorëzimit ka dy opsione, e para është me marrëveshje të përbashkët, dhe në këtë rast procedura është shumë ma e shkurtë sepse me një seancë përfundon gjithçka. Ndërsa te rastet kur njëra palë nuk është dakord… atëherë kjo realizohet përmes padisë”, thotë avokati, duke shtuar se paditë për shkurorëzim trajtohen me urgjencë brenda vitit.

Ekzistojnë disa rregulla që gjykata i ndjek para se të marrë një vendim përfundimtar. Për shembull, ligji mbron në mënyrë të veçantë gratë shtatzëna dhe integritetin e martesës si institucion.

A mund të shkurorëzohet gruaja shtatzënë?

Avokati bën të ditur se është e ndaluar që zgjidhja e martesës kur femra është shtatzëne. Pastaj ekziston parakushti tjetër që qifti duhet të ketë mbi një vit që është i ndarë dhe nuk jetojnë bashkë.” Për më tepër, gjykata nuk synon thjesht ndarjen, por tenton pajtimin deri në momentin e fundit, veçanërisht kur në mes janë fëmijët.

“Hapat e parë që i merr gjykata ne rastet e shkurorëzimit, sidomos kur qifti ka fëmijë, është se edhe gjykata edhe qendra për punë sociale mundohen deri në fund, madje ka edhe seancë të veçantë, në të cilën mundohen që ta pajtojnë qiftin. Ekspertët kontribuojnë që të shpëtojë martesa… por në rast se vërtetohet se gjendja ka mbërri deri në pa kthim… atëherë lëshohet në procedurë,” përfundon avokati. Kjo qasje siguron që çdo vendim i marrë të jetë i peshuar mirë, duke respektuar të drejtat e secilës palë dhe interesin e fëmijëve.

Post Related

Kontakti

Promovoni biznesin tuaj në këtë hapësirë.