Blerjet Online në Kosovë: Të drejtat tuaja përtej “Bio-s” së rrjeteve sociale

"Porosite fustanin, të erdhi lecka? Ja si t’i marrësh paratë mbrapsht!" Mos harroni se Ligji është në anën tuaj dhe mos lejoni që mungesa e informimit t’ju kthehet në kosto financiare.

“Porosite fustanin, të erdhi lecka? Mos harroni se Ligji është në anën tuaj dhe mos lejoni që mungesa e informimit t’ju kthehet në kosto financiare.

Në epokën e rrjeteve sociale, blerja e një produkti është vetëm një klikim larg. Por, bashkë me lehtësinë e blerjes, po lulëzojnë edhe praktikat e paligjshme. Ka mjaftë faqe që operojnë me rregulla të vetëshpallura, e që bien ndesh me ligjin, duke i lënë blerësit e dëshpëruar dhe me xhepa të zbrazët. Në këtë artikull, të ndihmuar nga këshillat ligjore, do të zbërthejmë tri mitet kryesore të blerjeve online në Kosovë.

“Malli i blerë nuk kthehet”

Sa herë keni parë në profilin e një dyqani online mbishkrimin “Nuk bëjmë kthime ose rimbursime”. E vërteta ligjore sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Kosovë, ky mbishkrim është i paligjshëm. Për blerjet online (kontrata në distancë), konsumatori ka të drejtë ta kthejë produktin brenda 14 ditësh pa dhënë asnjë arsye. Nuk ka rëndësi nëse produkti është me defekt apo thjesht nuk ju pëlqen si ju rri, shitësi është i detyruar ta pranojë kthimin dhe t’ju rimbursojë mjetet.

Çfarë të bëni kur “Shitësi ju bën bllok”?

Pasi ju bëni pagesën përmes bankës dhe prisni porosinë, përfundoni të bllokuar nga faqja. Shumë qytetarë hezitojnë të veprojnë për shuma të vogla parash që kanë paguar.

Mos u dorëzoni. Edhe për shuma të vogla, hapi i parë është ruajtja e çdo dëshmie. Kopjoni bisedat, numrin e llogarisë ku keni dërguar paratë dhe konfirmimin e bankës.

Edhe nëse ju ka bllokuar, biseda juaj mbetet në arkivin tuaj. Mos e fshini atë, sepse është prova juaj e vetme ligjore.

Përveç Policisë, rruga më e shpejtë dhe efikase është Inspektorati i Tregtisë. Ky institucion ka autoritet të gjobisë këto faqe dhe t’i mbyllë ato nëse operojnë jashtë rregullave.

Kur pakoja iu vjen e dëmtuar: Kush mban përgjegjësi?

Në këto raste zakonisht postieri ju thotë “fajin e ka shitësi”, kurse anën tjetër shitësi mbrohet dhe pohon se “fajin e ka posta”. Kështu që konsumatorit i mbetet në dorë një produkt i thyer.

Ligjërisht, kush paguan? Deri në momentin që ju e nënshkruani pranimin e pakos, përgjegjësia për mallin mbetet te shitësi. Nëse pakoja shihet që është e dëmtuar fizikisht që në momentin e dorëzimit ju refuzojeni pranimin dhe mos e nënshkruani fletë-dorëzimin.

Kur pranoni pakon nga postieri, kërkoni që ta hapni para se të jepni paratë. Nëse nuk ju lejojnë, bëni një video duke e hapur pakon për herë të parë dhe kjo shërben si provë që dëmtimi nuk është bërë nga ju dhe lajmëroni shitësin, i cili duhet të merret me kompaninë e postës, ndërsa juve duhet t’ju dërgohet produkti i ri ose t’ju kthehen paratë.

Si të mbroheni në të ardhmen?

Fillimisht kontrolloni nëse faqja ka një adresë fizike ose numër fiskal. Kërkoni foto reale të produktit, jo vetëm ato të marra nga makinat kërkuese. Preferoni pagesën me para në dorë pas pranimit të mallit.

Mos harroni se Ligji është në anën tuaj dhe mos lejoni që mungesa e informimit t’ju kthehet në kosto financiare. Nëse një faqe refuzon të drejtat tuaja bazike, raportimi është mënyra e vetme për të pastruar tregun online nga mashtruesit.

Nëse shitësi ju thotë “nuk pranojmë kthime”, kopjoni dhe dërgojani këtë tekst. Zakonisht, përmendja e ligjit dhe inspektoratit mjafton që ata të ndërrojnë mendje menjëherë.

Nëse shitësi vazhdon t’ju injorojë ose ju ka bllokuar, ndiqni rrugën për ta denoncuar dyqanin mashtrues online në Inspektoratin e Tregtisë (MINT) dhe mos hezitoni sepse procesi i denoncimit nuk është i komplikuar dhe mund të bëhet nga telefoni për disa minuta.

Vizitoni faqen zyrtare të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (mint.rks-gov.net). Gjeni seksionin e Konsumatorit. Kërkoni butonin “Paraqit Ankesën” ose shkoni direkt te platforma konsumatori.rks-gov.net.

Plotësoni Formularin, duke shënuar emrin e faqes ku keni bërë blerjen dhe nëse nuk ka emër biznesi, shënoni emri e përdoruesit.

Bashkëngjitni kopjen e bisedës dhe dëshminë e pagesës, nëse keni paguar me bankë apo faturën e postës.

Mund të thirrni edhe në numrin pa pagesë 0800 11000. Ky numër është i dedikuar ekskluzivisht për ankesat e konsumatorëve. Në të ardhmen mbani duart larg dyqaneve apo faqeve online, nëse nuk kanë adresë fizike, as numër telefoni dhe as numër fiskal. Gjasat janë që është biznes ilegal. Në këtë rast, Inspektorati e ka më vështirë t’i gjejë, por prapë duhet raportuar që të mbyllen si faqe.

Post Related

Kontakti

Promovoni biznesin tuaj në këtë hapësirë.