Përdorimi i teknologjisë digjitale nga avokatët për informimin e popullatës për ligjet nuk është marketing – Është përgjegjësi etike dhe shoqërore

Informimi i saktë ligjor është forma më e lartë e fuqizimit të qytetarit

Informimi i saktë ligjor është forma më e lartë e fuqizimit të qytetarit

Për dekada me radhë, imazhi i avokatit ka qenë një figurë e distancuar, i rrethuar nga dosjet voluminoze dhe që flet një gjuhë të cilën qytetari i thjeshtë e ka të vështirë ta kuptojë. Mirëpo, në një kohë kur informacioni udhëton me shpejtësinë e një klikimi, heshtja në publik e profesionistëve të ligjit ka krijuar një vakum të informimit dhe sqarimit të qytetarit sesi funksionojnë ligjet.

Në kohën moderne, roli i avokatit nuk kufizohet më vetëm në sallën e gjyqit. Ai shtrihet në “sheshin” më të madh publik të kohës sonë: rrjetet sociale. Edukimi ligjor online dhe rrëzimi i miteve urbane është kthyer në një domosdoshmëri për të garantuar qasjen e qytetarëve në drejtësi.

Rreziku i “Miteve Urbane” dhe Kostoja e Dezinformimit

Të gjithë kemi dëgjuar fraza të tipit: “Nuk të heqin dot nga puna nëse je me kontratë apo të largojnë nga puna nëse nuk ki kontratë” ose “Mjafton të ikësh nga shtëpia dhe pas 3 vitesh quhesh i divorcuar automatikisht”. Këto janë ato që mund t’i quajmë “ligje të kafesë”, informacione të pasakta që qarkullojnë gojë më gojë dhe që merren si të vërteta absolute.

Rreziku i këtyre miteve është real dhe i matshëm. Qytetarët marrin vendime jetësore bazuar në to, duke humbur afate ligjore, duke hequr dorë nga pronat, apo duke nënshkruar kontrata të dëmshme. Kur avokati zgjedh të flasë publikisht për tema aktuale ligjore, ai bën më shumë se thjesht informim, ai parandalon dëmin. T’i sqarosh publikut se si funksionon realisht ligji, do të thotë t’i kursesh atij kohë, para dhe trauma në dyert e gjykatave.

Rrjetet Sociale: Ura e re e drejtësisë

Shpesh ekziston paragjykimi se rrjetet sociale nuk janë vende serioze për ligjin. Kjo është e gabuar. Aty ku është vëmendja e njerëzve, aty duhet të jetë edhe edukimi dhe informimi i qytetarit për Ligje.

Prezantimi i çështjeve ligjore në rrjetet sociale ka dy efekte madhore: thjeshtësimi i gjuhës dhe lehtësimi i qasjes.

Te thjeshtësimi i gjuhës, platformat sociale kërkojnë shkurtësi dhe qartësi. Kjo i detyron avokatët të zhveshin ligjin nga termat e komplikuar latinë dhe zhargohen juridike, dhe ta shpjegojnë atë thjesht. Kur qytetari e kupton ligjin, ai nuk e ka më frikë atë.

Te lehtësimi i qasjes, shumë qytetarë hezitojnë të trokasin në derën e një avokati nga frika e kostove apo e formaliteteve. Një video shpjeguese prej tyre apo një artikull i qartë, shërben si një dorë e shtrirë. Ajo i tregon qytetarit se drejtësia është e arritshme dhe se avokati është aty për të ndihmuar, jo për të komplikuar.

Një avokati moderne për një qytetar të fuqizuar

Informimi i saktë ligjor është forma më e lartë e fuqizimit të qytetarit. Një publik i informuar është një publik që di të kërkojë të drejtat e tij dhe që nuk bie pre e abuzimeve. Për avokatët e sotëm, përdorimi i teknologjisë për të shpërndarë dije nuk është marketing. Është një përgjegjësi etike dhe shoqërore. Duke rrëzuar mitet dhe duke ofruar informacion të saktë e të kuptueshëm, nuk ndërtohet vetëm një imazh më i mirë për profesionin, por ndërtohet edhe një shoqëri ku qasja në drejtësi fillon nga informimi i drejtë.

Post Related

Kontakti

Promovoni biznesin tuaj në këtë hapësirë.