Në errësirën e ligjit duhet ndezur dritën për qytetarin

EDITORIAL

Ne nuk mund ta ndryshojmë sistemin brenda natës, por mund të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën se si ju përballeni me të.

Nga Stafi i iavokati.com

Ka një moment specifik kur njeriu ndjehet më i vogli në botë. Është ai çasti kur mban në dorë një fletëthirrje gjyqësore dhe nuk e kupton çfarë është. Përmbajtja e saj futë frikën dhe ankthin nga e paditura. Ose kur je duke kërkuar një të drejtë që duket se po të rrëshqet nga duart.

Në atë moment, stomaku bëhet nyje. Logjika dorëzohet. Dhe në vend të veprimit, ndjenë që humbe në një mjegull të dendur e të pafund.

Ne si gazetarë dhe vëzhgues të sistemit, kemi parë shpesh ketë ndjenjë në fytyrat e njerëzve që japin fotografinë e të pashpresë para një sporteli të akullt të një administrate që të kërkon letra e që nuk i ke, të humbur në korridore duke kërkuar sqarim e ndihmë dhe nuk e gjënë dot.

Kemi parë njerëz, prindër që kanë sakrifikuar gjithçka, profesionistë të ndershëm që thyhen, punëtorë që kanë humbur punën dhe kërkojnë dorën e drejtësisë.., pa ditur se ku ta gjejnë. Ata nuk u thyhen e nuk humbën sepse kanë faj. Nuk thyhen sepse ligji është kundër tyre. Ata thyhen sepse nuk dinë nga t’ia nisin, sepse kanë frikë.

Frika është armiku i parë i drejtësisë. Ajo ushqehet nga errësira e procedurave dhe nga gjuha e komplikuar që sistemi përdor. Kur qytetari nuk kupton, ai nuk kërkon. Ai thjesht bindet nga frika, ose më keq, dorëzohet pa luftuar.

Anën tjetër, shteti prodhon ligje, kode dhe nene. Ato janë të ftohta, shpesh të pakuptueshme për njeriun e thjeshtë. Por qytetari në panik nuk ka nevojë për një kod penal “nën jastëk”. Ai ka nevojë për dritë.

Drita është informacioni i thjeshtuar. Drita është të dish se çfarë të pret pas asaj dere. Drita është të kuptosh se avokati nuk është një luks i të pasurve, por një mburojë e domosdoshme.

Prandaj krijuam iavokati.com. Një platformë të lindur nga nevoja për të hequr frikën nga mendja e qytetarit.

Në iavokati.com nuk do të gjeni lajme politike. Nuk do të gjeni kronikë të zezë që shton ankthin, as deklarata boshe të qeveritarëve. Ne kemi zgjedhur të jemi një hapësirë e pastër, ku e vetmja agjendë është e drejta juaj.

Ne sjellim avokatë që kanë guximin të zhveshin togën e rëndë dhe të flasin thjesht. Përmes intervistave dhe shpjegimeve jo-juridike, ne duam t’ju tregojmë se ligji mund të jetë aleati juaj, jo makthi juaj.

Ne nuk mund ta ndryshojmë sistemin brenda natës, por mund të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën se si ju përballeni me të.

Mos lejoni që frika t’ju errësojë gjykimin. Përdorni këtë platformë për t’u informuar, për të gjetur mbrojtjen e duhur dhe për të kërkuar atë që ju takon.

Kur hiqet frika, mbetet vetëm e vërteta. Dhe për të vërtetën, ia vlen çdo betejë.

Post Related

Kontakti

Promovoni biznesin tuaj në këtë hapësirë.